| Është punuar në mënyrë permanente qëmoti nga struktura të ndryshme që BFI dhe vlera e saj të devalvohet, të mos jetë simbol i unitetit të popullatës myslimane në Maqedoni...
Intervistë me kryetarin e BFI-së së Maqedonisë, Sulejman ef. Rexhepi dhënë të përditshmes FAKTI
Reisul Ul Ulema Sulejman ef. Rexhepi, pas pesë vjetësh sërish doli nga hija. Tani betohet se punët do t’i kthejë në binarët e vet. Në fund të çdo fjalie nënvizon se premtimin e dhënë ditën kur e ka fituar besimin e kuvendarëve, do të mbajë deri në fund. Është i vetëdijshëm se kaosi i krijuar në pesë vjetët e fundit në BFI nuk mund të zgjidhet për një ditë, por siç thotë edhe ai vetë, me çdo kusht do t’ia kthejë dinjitetin këtij institucioni të lartë fetar – islam.
Fakti: Para një javësh ju zgjodhën për kryetar të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë. A mundeni në pika të shkurtra të na tregoni se si e gjetët situatën në BFI pas një pauze pesëvjeçare?
S. Rexhepi: Situatën këtu e kam gjetur ashtu siç ka qenë realisht. Nuk është kurrfarë fshehtësie se BFI-ja, organet e saj në tërësi, sidomos kryesia e saj, ka një kohë të gjatë që me të vërtetë ka qenë pa kokë. Brenda një viti e gjysmë ka pasur struktura të ndryshme të cilat kanë ardhur edhe në krye të BFI-së për udhëheqjen e saj. Do të thotë për një vit e gjysmë janë ndërruar shumë personalitete. Pas tërheqjes së ish-Reisul ul Ulema Arif ef. Eminit menjëherë pasuan njerëz si myftiu i Dibrës. Ai qëndroi një kohë ta caktuar, pastaj u tërhoq duke deklaruar se një gjë të tillë e bën nga kërcënimet e mëdha. Më pas e zgjodhën në mënyrë antikushtetutare dhe antinormativës islame një myfti tjetër, myftiun e Shtipit, Isa ef.Ismaili. Më pas u bë emërimi i zv.kryetarit të Reisul ul Ulemasë përmes një organizimi jashtë BFI-së. Emërimi i tij u bë në Strugë në sallën e Kuvendit Komunal. Është për t’u habitur se si mund të ketë zv.kryetar kur nuk ka kryetar. Sipas normativës së BFI-së edhe zëvendësi zgjidhet sipas kushtetutës që është në fuqi, pra zgjidhet nga Kuvendi i BFI-së. Në të vërtetë këtu nuk pati zgjedhje po pati emërim nga strukturat e jashtme të BFI-së. Dhe erdhi momenti pas kalimit të një kohe dukshëm të gjatë që BFI-ja mbeti pa kokë, duke u udhëhequr nga një i emëruar zëvendës të cilin subjektet e ndryshme të BFI-së ia kishin kundërshtuar imunitetin për shkak se realisht duke u mbështetur në normativën nuk kishte imunitet. Mirëpo për hir të situatës që të mos vijë puna të shkohet në dezorganizim total, shumëkush ka heshtur dhe ka duruar. Një ndër ta kam qenë edhe unë personalisht, por jam prononcuar se atë emërim nuk e njoh. Me atë akt është bërë puç shumë i egër në sistemin normativ të BFI-së dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme nga subjektet të cilat e udhëhoqën. Prandaj, mund të them se BFI-në e gjeta kështu në këtë kohë. Por kësaj radhe, me rastin e shpalljes së zgjedhjeve, u respektua procedura zgjedhore, sistemi normativ i BFI-së, kështu edhe m’u dha besimi me shumicë absolute...
Zgjedhjet pa zhurmë
Fakti: Kur jemi te besimi, është interesante se gjatë gjithë kësaj periudhe çdo lëvizje këtu në BFI ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Kësaj radhe disi zgjedhja juaj apo përgatitja për zgjedhjen tuaj kaloi në heshtje. Pse ndodhi kjo? Pse nuk u bë zhurmë?
S. Rexhepi: Nuk kishte mundësi për t’u krijuar zhurmë, sepse iniciativa për zgjedhje u ngrit nga vetë myftinjtë e BFI-së, prej organeve të BFI-së. Njerëzit pritnin se struktura më eminente më kompetente e BFI-së - ajo ishte Rijeseti i BFI-së, do të organizojë zgjedhje të kryetarit. Mirëpo, kur u bindën se ata nuk e kanë ndër mend që edhe më tej të bëjnë zgjedhjen, lindi një iniciativë. Një qarkore u hedh nëpër myftini dhe kështu që tetë myftinj që në fillim e përkrahën këtë iniciativë. Bile edhe atyre myftinjve që nuk iu ishte ofruar qarkorja u ndjenë të shqetësuar sepse edhe ata ndanin të njëjtin mendim dhe kërkonin me urgjencë që BFI të ketë kryetarin e saj. Kam bindjen se pikërisht për këtë arsye nuk ka pasur zhurmë, sepse kjo është kërkesë e vetë organeve kolektive të BFI-së.
Fakti: Pra, sipas fjalëve tuaja mund të shpresojmë se më në fund do të qetësohet situata në BFI dhe rreth BFI-së...
S. Rexhepi: Unë nga natyra dhe shpirti jam optimist dhe këtë optimizëm e manifestoj edhe në deklaratat e mia. Kam bindjen se nuk ka kurrfarë teorie që BFI të shkojë më keq, sepse nuk ka ku shkon më, nuk ka më se si të ndodhë më keq. Tani shpresat dhe bindjet e mia janë se BFI dalëngadalë duhet t’i kthehet veprimit institucional...
E keqja ka mbërritur kulmin
Fakti: Thatë se e keqja në BFI ka mbërritur kulmit. Rrjedhimisht nënkupton se kjo është reflektuar edhe në aspektin financiar. Meqë ka kaluar një javë qëkur jeni zgjedhur kryetar i BFI-së, me siguri keni hasur në ndonjë raport financiar që flet për malverzime financiare...
S. Rexhepi: Për malverzime financiare tani nuk mund të flas për arsye se unë ende nuk e kam bërë pranim-dorëzimin financiar. Nuk e kam kryer këtë formalitet për arsye se brenda kësaj kohe do të thotë për një vit e gjysmë janë ndërruar tre persona... Pa kontrollimin e kësaj situate nuk kam gatishmëri që të bëjë pranim-dorëzimin, kështu që kam angazhuar ekspertë për ta pastruar gjendjen financiare brenda BFI-së. Këtu ka një revizor shtetëror, një ekspert për çështjet financiare dhe një punëtor operativ që merret me financa në kuadër të BFI-së, respektivisht personin që kemi pasur përgjegjës në Fakultetin e shkencave islame për çështje financiare. Me këta ekspertë punojmë tanimë disa ditë dhe po e ecin situatën. Obligim i tyre është që prej momentit që ish-kryetari shkoi në dorëheqje dhe deri më sot, të japin raport financiar. Ai raport do të jetë pranim-dorëzimi dhe nuk do të njohë kurrfarë forme tjetër.
Fakti: Kur e pasqyroni këtë situatë në kuadër të BFI-së, kur flisni për gjithë këtë rrëmujë, logjikisht parashtrohet pyetja se këtu është dashur të kenë gisht edhe struktura të ndryshme të shërbimeve sekrete. Sa ju zotëri kryetar jeni të gatshëm që këto punë t’i pastroni njëherë e përgjithmonë?
S. Rexhepi: Në këtë drejtim është një e vërtetë shumë e madhe... tendencat permanente kanë ekzistuar që vlera e BFI-së të jetë sa më e ulët. Është punuar në mënyrë permanente qëmoti nga struktura të ndryshme që BFI dhe vlera e saj të devalvohet, të mos jetë simbol i unitetit të popullatës myslimane në Maqedoni. Prandaj në këtë drejtim është vepruar që sa më tepër të shkohet në dezorganizimin e saj dhe vlera e saj të mbetet - të mos them si institucion avangard për çështjet islame. Tentimi ka qenë që thjesht ai të jetë institucion që vetëm do të administrojë dhe plotësojë kërkesat e individëve dhe grupeve të ndryshme, të mos jetë kurrfarë autoriteti i jetës fetare. Këto tendenca janë të kamotshme dhe gjithnjë kanë tentuar që BFI-në ta devalvojnë, kompetencat e saj t’i marrin dhe t’i kultivojnë interesat e veta qofshin ato individuale apo grupore.
“Komandantët” dhe BFI
Fakti: A mund t’i tregoni me emër dhe mbiemër se kush kanë qenë ata?
S. Rexhepi: Viteve të fundit është çështje evidente dhe çështje e dukshme se këtu u infiltruan sidomos pas vitit 2001 njerëz të cilët thirreshin në merita të ndryshme. Si duket struktura udhëheqëse, përfaqësuesit legalë - legjitimë të përleshjeve luftarake të vitit 2001 nuk arritën që pas luftës, njerëzit që morën pjesë u inkuadruan edhe në rezistencën luftarake, t’i përcjellin nevojat e tyre elementare edhe pas 2001-shit, që të mos i lënë të devijojnë ose ta zhvlerësojnë veten e vet. Ata si duket nuk e kishin preokupim atë punë, kështu që u paraqit një numër dukshëm i madh që ngelën pa mëshirën e askujt. Duke mbetur pa mëshirën e askujt, ata si duket gjetën mbështetje te disa faktorë brenda BFI-së për t’i ruajtur pozitat e veta dhe filluan ta gllabërojnë pronën e BFI-së. Ajo pronë në krahasim me atë që i takon BFI-së është shumë simbolike, sepse është një e vërtetë se në bazë të Ligjit për denacionalizim BFI-së nuk i është kthyer absolutisht asgjë, sidomos në Shkup ku më së tepërmi BFI ka pasur prona dhe kapitalin e saj. Tani filluan të luajnë në letrën se nëse ju qëndroni pas meje ma ruani funksionin, ma ruani pozitën, rrini pas meje, urdhëroni merrni një dyqan, merrni këto pare. Prandaj janë bërë shumë keqpërdorime financiare duke u dhënë të mira materiale njerëzve të cilët nuk janë përgjegjës, nuk janë të emëruar, nuk punojnë në kuadër të BFI-së. Kjo është bërë për të ruajtur kolltukët dhe pozitat në BFI. Do të thotë unë nuk mund t’i fajësoj gjithë ata njerëz sepse ndonjë është i nxitur nga pozicioni i skamjes, nga pozicioni i nevojës, nga pozicioni i cili nuk ka pasur rrugëdalje tjetër dhe nuk ka pasur kush t’i orientojë se nuk bën që ata njerëz ta devalvojnë edhe vetveten e vet, sepse ky institucion është edhe i atyre, është i gjithë besimtarëve myslimanë dhe nuk mund të jetë i dikujt personalisht. Prandaj prej momentit kur Shkupi fitoi myftiun e vet, angazhuam një ekip të ekspertëve për çështje ekonomike financiare dhe komplet lënda i është dorëzuar Prokurorisë Publike dhe atje sigurisht se ka vepra penale të çuditshme për të cilat Prokuroria Publike - strukturat e pushtetit të kaluar disi i kanë heshtur, ndoshta kanë arsyet e veta, por ne si BFI nuk do të heshtim dhe do të kërkojmë që puna të sqarohet deri në fund.
Lufta kundër radikalëve
Fakti: Është evidente se këtu në Maqedoni gjatë 20 vjetëve të fundit është kultivuar paralelisht edhe islami joinstitucional, që promovon edhe struktura pak më radikale. Ju si njeri i parë i BFI-së çka do të ndërmerrni për ta ndaluar apo për ta penguar zhvillimin e mëtutjeshëm të islamit jashtinstitucional?
S. Rexhepi: Unë ju garantoj një të vërtetë, të gjithë ata që thirren se disa punë jashtinstitucionale që i ushtrojnë dhe veprojnë i bëjnë me motive fetare me fundamente të ndërgjegjes islame, është rrenë e kulluar, shpifje, insinuatë dhe është spekulim. Është një e vërtetë shumë e madhe - personat që merren me këso fundamentesh në esencë janë shumë të pamoralshëm. Nuk mund të jesh edhe mysliman edhe i pamoralshëm, edhe mysliman edhe kriminel, edhe mysliman edhe terrorist... Këtë njëherë e përgjithmonë duhet ta fshijnë nga koka. Prandaj të gjitha ato lëvizje ose grupe që paraqiten kinse ata interpretojnë islamin radikal, është rrenë.... është mashtrim. E dyta, në të vërtetën universale ekziston një islam...
Unë nuk njoh se ka islam radikal, nuk ka islam radikal. Islami ka vetëm një emër, ai është islam. Në të kundërtën mund të krijohet përshtypja se paska myslimanë që qenkan integristë, paska myslimanë që qenkan terroristë, paska myslimanë që qenkan kriminelë. Edhe mysliman edhe islam, edhe gjitha këto që i përmenda nuk ka teori të jenë bashkë, sepse islami është një.
Fakti: Si do ta zgjidhni këtë problem?
S.Rexhepi: Problemi është këtu se mund të ketë individë, të cilët tentojnë të veprojnë dhe veprimet e tyre t’i arsyetojnë me motive islame, ndërsa nuk kanë mbështetjen reale për të vërtetën islame. Përkundrazi ata janë të stërvitur që duhet të thirren në emër të islamit nga qendra ku ata paguhen.
Fakti: Cilat janë ato qendra?
S.Rexhepi: Qendra ka, ato janë që e bëjnë pagesën e tyre, por që nuk gjenden në Maqedoni...
Fakti: Ku janë në Lindje, në Perëndim...
S. Rexhepi: Ka struktura, ka forma, përveç fondacioneve të ndryshme... Për fat të keq ndoshta fondacioni mban emrin bamirës, humanitar, ndërsa në të vërtetë përmes tyre mund të vijë deri te financimi i grupeve të ndryshme, respektivisht aktivistëve të vet që i kanë nëpër botë të shpërndarë, në kundërshtim edhe me vetë statutin e themelimit të saj, sepse formojnë një shoqatë ose fondacion bamirës, që mund të bëjë financimin e forcave terroriste për të ushtruar akte terroriste diku në botë. Kjo është në kundërshtim me vetë statutin e themelimit të fondacionit ose emrit që e mban. Nuk ka teori të flasim se islami qëndron pas tij. Kjo thjesht është një utopi, një ëndërr, një shpifje e trilluar. Ndërsa që të pengohen këto gjëra, këto punë nuk na preokupojnë vetëm neve këtu në Maqedoni. Unë kam bindjen se ato veprojnë në tërë botën. Që të pengohen këto aktivitete, të cilat janë anticivilizuese, antinjerëzore, antiislame, atëherë këtu institucioni mund të ndihmojë te deshifrimi i këtyre veprimeve sidomos kur tentojnë ta keqpërdorin islamin. Por, mekanizmi i cili mund të ndërmerr masa sanksionimi dhe ndëshkimi nuk është në duart e BFI-së. Atëherë duhet të ketë efikasitet të shtetit juridik në Maqedoni dhe vetëm masat sanksionuese mund ta pengojnë këtë të keqe. Të gjitha subjektet që janë të interesuara për funksionimin e shtetit juridik duhet të bashkëveprojnë ndërmjet vete. Unë kam për obligim dhe jam betuar publikisht se nuk guxon askush ta topitë ndërgjegjen fetare islame në Maqedoni dhe do të jem në mbrojtjen e islamit pa kompromis, por nuk mund t’i mbroj ata që keqpërdorin islamin. Edhe njëherë e përgjithmonë e them se nuk do të jem në mbrojtjen e tyre, por përkundrazi u shpalli luftë pa kompromis deri në fund me të gjithë mekanizmat që do të ekzistojnë dhe do të kem mundësi t’i shfrytëzoj.
Nuk guxon askush të shpallë autonomi
Fakti: Në mandatin tuaj të kaluar disa imamë patën shpallur autonomi nëpër xhamitë e tyre, veprim ky jashtë kornizave të BFI-së. Sa tani BFI do t’u thotë ndal këtyre dukurive, pra a do të toleroni që sërish të shpallen autonomi nëpër xhami?
S.Rexhepi: Është shumë e vërtetë kjo. Pa marrë parasysh se ndoshta udhëhiqet nga ndonjë imam i xhamisë. E njëjta ndodh edhe në diasporë. Mirëpo dallim tani është kështu, p.sh.: Zvicra, organet kompetente zvicerane, mentaliteti i atij populli nuk e duron këtë luks të këtij veprimi. Do të thotë edhe jomyslimanët në ato mjedise në Evropë i shqetësojnë këto veprime. Pas muajit të Ramazanit, do të formohet një delegacion dhe do të shkojë në Bernë që do të takohet me organet kompetente shtetërore të Zvicrës, sepse e njëjta lojë që bëhet këtu bëhet edhe atje. Në secilën mëhallë xhami nuk mund të ketë. Xhami e rrethinë në vete, jo. Kjo është katastrofë, kjo është ndarje, kjo është shkatërrim, tentim i dezorganizimit të jetës fetare dhe tendenca për keqpërdorim, për çka: imami në xhami, vaizi, hatibi, muezini, secili sipas rregullave të BFI-së ka kompetencat e veta, por në atë xhami ka edhe një strukturë tjetër që quhet Këshilli i Xhamisë. Në kuadër të këtij këshilli ka kryetar, imami me këto punë nuk guxon të merret. Personat që tentojnë të shkëpusin xhamitë nga BFI, nga institucioni, për bindjet e mia janë kriminelë pavarësisht se mund të jetë hoxhë me shall. Arsyeja qëndron këtu, se ai dëshiron të bëjë keqpërdorim, i ikën kontrollit, përzihet atje ku nuk e ka vendin. Ne kemi qendra, kemi xhami, ku me të vërtetë askush asgjë nuk di. Popullata myslimane japin, fitra, japin zekatin, japin kontribute vullnetare, askush nuk e di, bile edhe në kuadër të këshillit të xhamisë nuk di askush asgjë askush. Tenton vetëm i quajturi imam apo hoxha krejt ato punë t’i ketë në kompetencat e veta. Ky është tmerri më i madh dhe këta janë kriminelët më të mëdhenj | | |
|